Gjallesa e Heshtur nga Ali Ferhati
26
Apr

“Gjallesa e Heshtur”, nga Ali Ferhati – Bibla e Peshkimit në Apnea në Shqipëri

Ndoshta ju nuk e dini, por në Shqipëri është shkruar dhe botuar një libër për Peshkimin në Apnea nga një prej pionerëve të këtij sporti në vendin tonë.

Sapo perfundova së lexuari librin “Gjallesa e heshtur” nga Ali Ferhati, dhe nuk mund të rrija pa ndarë disa nga përshtypjet e mija rreth ketij libri kaq të veçantë për ne që ndajmë të njejtin pasion. Ne rradhe te pare duhet ti kushtoj një homazh të veçantë autorit i cili për fat të keq nuk jeton më. Një falenderim të veçantë për pasionin e tij dhe për dëshirën që ka pasur ta ndajë atë me të tjerë si nëpërmjet këtij libri, ashtu edhe duke ndihmuar të rinjtë që i afroheshin gjithnjë grupit të tyre në këtë sport të ri e të rrallë në atë kohë. Gjithashtu doja të falenderoja edhe djalin e Aliut, Arbenin që e solli në vëmendjen tonë këtë libër dhe fotot e rralla që na lejoi ti postonim në faqe. 

Libri përmban kryesisht përvojat e ndryshme të autorit me grupin e pionerëve të këtij sporti në atë kohë nëpër brigjet Shqiptare. Shkëndija e parë nisi prej një oficeri rus që i dha hua Aliut maskën e tij, tubin e lopatat për një zhytje. Pajimet e para, të sajuara, dikush prej miqve në Amerikë, Ceki, Itali apo gjikundi tjetër në botë. E më pas mjeshtrat duke aplikuar artin e të sajuarit, të shtyrë nga pasioni i madh arritën të replikonin pushët e para nënujore duke perdorur bronz. Me shumë vështirësi por me pasion shumë të madh nisi ky sport në Shqipëri. 

Në titull, e kam qujatur këtë libër Bibla e peshkatarëve nënujorë, pasi ai përmbledh me përshkrime shumë të detajuara vendet e gjuetisë me gjithë opinionet personale të autorit lidhur me to. 

Megjithë vështirësitë që kishin lidhur me transportin, këta mjeshtra nuk kanë lënë pothuajse asnjë vrimë të Shqipërisë pa eksploruar, si brigje deti, lumenj apo liqene dhe të gjitha Aliu me pasionin e tij dhe dëshirën për t’ia lënë të rinjve i ka pasqyruar me detaje në libër. Keta pionere duke qene te paret shpesh here kane pasur edhe privilegjin te eksplorojne edhe zona te cilat ne mund te mos kemi kurre mundesine ti rrahim si baza ushtarake etj. Duke lexuar librin kushdo derivon shume kollaj ku ja vlen e ku nuk ja vlen te gjuash, gjithashtu edhe se ku eshte bukur per te gjuajtur e ku eshte bukur thjesht per tu zhytur. 

Shumë e veçantë është gjithashtu të shohësh në sytë e tyre metamorfozën që kanë pësuar një pjesë e mirë e këtyre vendeve prej shkatërrimit, apo ndërhyrjet që bëheshin pa asnjë lloj studimi si devijimet e lumenjve etj të cilat dëmtonin plazhet apo zona të tëra. Libri shoqërohet edhe me foto shumë interesante dhe të rralla që ilustrojnë aventurat e tyre. 

Të gjithë kureshtarëve për më tepër i uroj lexim të mbarë. Mund ta gjeni librin tek libraria Faik Konica në Tiranë.