
Konfigurimi i Pushkës – Pyetje të Shpeshta
Shumë shpesh na ka qelluar të diskutojmë mbi pushkët, konfigurimin e duhur, numrin e llastikëve dhe elementëve të tjerë për të pasur një pushkë sa më të saktë dhe efikase. Më poshtë janë disa këshilla të përmbledhura nga faqja pescasublog.it. (po shfrytëzojmë përvojën e tyre më të gjatë në këtë fushë duke pasur parasysh se edhe kushtet e peshkimit në Itali janë pothuajse njësoj me tonat)
Llastiku rrethor apo në çift?
Llastikët në çift do të thotë një llastik i prerë dhe i fiksuar nëpëmjet një mekanizmi të posaçëm tek koka e pushkës. Në tërësi ka shumë pak diferencë ndërmjet përdorimit të njërit variant në raport me tjetrin, pothuaj të anashkalueshme. Disa kolegë preferojnë llastikun rrethor pasi të jep mundësinë që shënjestra të jetë më e pastër dhe përfitojnë nja 2 centimetra më shumë elasticitet, nga ana tjetër disa të tjerë preferojnë çiftin e llastikëve pasi ato vijnë paralelisht me trupin e pushkës presupozohet të sigurojnë pak më shumë saktësi.
Pothuajse të gjitha pushkët të japin mundësinë e përdorimit të të dy varianteve të llastikëve, madje shpesh herë i përdorin edhe të dyja njëherësh.
Llastik tek apo 2 palë llastikë?
Të konfigurosh një pushkë me 2 llastikë do të thotë ta bësh atë shumë më të fuqishme dhe shpesh herë edhe më të thjeshtë për ta karikuar. Në pamje të parë duket se është një gjetje gjeniale, por në fakt me këtë konfigurim lindin edhe shumë probleme të cilat e bëjnë gjuetinë më problematike krahasuar me përdorimin e një llastiku tek.
Gabimi i parë që bëhet është kur pushkës i jepet një fuqi më e madhe nga ç’është projektuar ajo të ketë. Psh, ka plot raste kur trupi i pushkës është shumë i lehtë dhe konfigurimi me 2 palë llastikë bën që të humbë shumë preçizion për shkak të lëvizjes mbrapa në momentin e shkrepjes. Kjo mund të ndodhë edhe në raste kur kemi vetëm një llastik shumë të trashë e shumë të shkurtër. Çdo pushkë ka një masë fuqie deri të cilën mund ta përballojë pa humbur saktësinë.
Praktikisht 90% e pushkëve që janë në treg janë të kompletuara me një konfigurim “të sigurt” me një llastik 18mm dhe me fuqi të llogaritur 300% që është në përgjithësi shumë e mjaftueshme, mund të karikohet nga kushdo dhe sigurohet që e tejshpon peshkun sic duhet. Në këtë rast do të ishte gabim i madh ti shtonim një llastik tjetër prej 18mm jo vetëm për çështjen e humbjes së preçizionit, por edhe pasi mekanizmi i shkrepjes dhe mbajtjes së shtizës mund të mos ta përballojë një fuqi të tillë.
Konfigurimet më të përdorura me 2 palë llastikë janë me nga 2x14mm dhe 2×16 mm. . Ndërsa varianti me 2 copë 14mm është zëvendësuesi i përsosur i variantit me tek llastik 18mm ku përfitojmë lehtësi në karikim pa humbur fuqi. Ndërsa varianti me 2 llastikë nga 16mm do të vlente vetëm për gjuetinë e peshqve shumë të mëdhenj për tu siguruar që shtiza të tejshpojë kafkat e forta peshqve të mëdhej.
Konfigurimi 2x14mm mund ti shkojë përshtat çdo pushke ndërsa ai 2x16mm mund ti bëhet vetëm pushkëve të mëdha e robuste. Eshte shume e rendesishme qe kur zgjedhim konfigurim me 2 llastike, keofivienti i fuqise (i terheqjes) te jete egzaktesisht i njejti per te 2 llastiket.
Nuk eshte aspak ide e mirë te kombinosh nje llastik 14 dhe nje 16, pasi llastiku me i holle e ben xhiron bosh dhe praktikisht fuqia e pushkes eshte sa ajo e llastikut 16mm.
Problemi tjetër i përdorimit të dy palë llastikësh është edhe se janë të bezdisshëm dhe mund të bllokojnë pamjen prandaj shumë peshkatarë të zotë përdorin një llastik tek të fuqishëm.
A mund ti montoj 2 llastikë pushkës time të shkurtër?
Teorikisht po, por praktikisht më mirë jo. Për pushkët që gjejmë në treg të madhësive nga 50-80 cm nuk hyjnë shumë në punë 2 palë llastikë. Arsyeja kryesore është se këto pushkë janë dizenjuar kryesisht për gjuetinë në guva apo prita në ujë të turbullt dhe në të gjitha rastet rrezja e veprimit efektive që ato kanë është 1 deri në 3 metra dhe për këtë lloj distance një llastik 18mm është më se i mjaftueshëm.
Përveç kësaj montimi i dy palë llastikëve në një pushkë të shkurtër do të na japë probleme serioze përsa i përket saktësisë. Kjo bëhet shumë e dukshme kur të gabojmë në goditjet e thjeshta, ato në distanca të vogla.
Çfare diametri duhet ta zgjedh llastikun?
Diametri i llastikëve lidhet drejtëpërdrejtë me fuqinë e dëshiruar dhe rrjedhimisht me llojin e gjahut që aspirojmë. Nëse gjuajmë për dental, do të na duhet shumë fuqi ndërsa nëse gjuajmë për levrekë, qefuj e saragonj na bën shumë punë një llastik më i butë dhe i saktë.
Për shtizat 6mm – 6.5 mm llastiku tek këshillohet të jetë 18mm ose 17.5 (e njejta gjë), ndërsa nëse përdorim 2 palë llastikë, këshillohen të dy të jenë nga 14 mm. Për pushkët më të gjata e shtizat më të rënda (pushkë 90cm e lartë me shtiza 6.5mm e lartë) preferohet përdorimi i 2 llastikëve 16mm. Megjithatë për të qënë më të saktë lidhur me zgjedhjen e llastikëve në bazë të diametrit të shtizës mund ti referoheni tabelës në faqenpescasublog.it
Çfarë marke llastikësh duhet të përdor?
Shkurtimisht: Kë të keni për mbarë! Pothuajse të gjitha kompanitë deklarojnë për llastikët e tyre që janë më të mirat në treg. Gjithashtu pothuajse të gjitha kanë nga 2 linja prodhimi, variantin ekonomik dhe atë premium. Nëse doni të jeni më të sigurt, mund të shkoni tek variantet premium.
Megjithatë nëse doni këshillën më të mirë për markën e llastikëve që doni të zgjidhni, do bënit mirë të pyesnit prodhuesit e pushkëve artizanale. Ata kanë provuar shumë dhe nga përvoja mund t’ju japin një këshillë më të mirë. Gjithashtu nëse keni një dyqanxhi që ka disa marka dhe është i ndershëm, edhe ai mund t’ju japë një mendim të mirë.
Çfarë gjatësie duhet të jetë llastiku?
Për këtë çështje mund ti referoheni shumë kollaj materialit të mëparshëm në faqen tonë duke klikuar këtu. Mbani mend qe nese blini llastik me metra duhet te llogarisni nja 2 cm me shume per te bere lidhjet.
Çfarë diametri duhet ta zgjedh shtizën?
Në përgjithësi pushkët vijnë me 3 diametra të ndryshëm shtizash: 6mm, 6.25mm (ose 6.3) dhe 6.5mm. sigurisht që të treja kanë pesha të ndryshme dhe rregulli bazë është që shtizat me diametër më të vogël kanë shpejtësi më të madhe në dalje nga pushka ndërsa shtizat më të trasha e kanë shpejtësinë më të madhe në fund të rrugës që përshkojnë (e ruajnë energjinë dhe kanë më shumë inerci lëvizje).
Edhe në këtë rast duhet të marrim parasysh se për çfarë do të gjuajmë. Nëse gjuajmë në pritë për peshq me reflekse të shpejta (si saragonjtë ose korbi) na duhet të përdorim shtiza të lehta për ti mundur ata me shpejtësi, ndërsa nëse do të gjuajmë në pritje për peshq më të mëdhenj duhet të sigurohemi që shtiza të ketë fuqi të mjaftueshme për ti tejshpuar mirë dhe të mos shtrembërohet kollaj. Në rastin e dytë do të na interesonte më shumë një shtizë më e rëndë.
Pothuajse të gjitha shtizat që vijnë me pushkët janë të diametrit 6.5 mm dhe janë të përshtashme për pothuajse të gjitha rastet por janë pak të ngadalta në fillim. Nga ana tjetër shtizat 6mm janë të shpejta por humbin shumë fuqi pas 2 metrave të parë. Për këtë arsye kohët e fundit po përdoren gjithnjë e më shumë shtizat 6.25mm të cilat janë shumë të këshillueshme dhe kanë një raport shumë të preferueshëm shpejtësi/fuqi. Diametri 6.25mm është shumë i këshillueshme për pushkët me llastik tek 18mm ose me 2 palë llastikë nga 14 mm.
Gjithashtu duhet të kemi parasysh vibrimin që i shkaktohet shtizës prej fuqisë së shtytjes që i jep llastiku. Sa më i fortë të jetë llastiku/llastikët aq më shumë vibrim jep dhe kjo shkakton humbje të preçizionit. Për këtë arsye këshillohet që të mbahet një ekuilibër mes diametrit dhe gjatësisë së llastikut dhe shtizës. Duhet evituar përdorimi i shtizave 6mm në pushkët 90cm e sipër. Gjithashtu shtizat 6.25mm përballojnë llastikë tek deri në 18mm ose 2 palë 14mm. Për 2 palë llastikë 16mm duhet përdorur patjetër shtiza 6.5mm.
Shtiza me kundamajën (krahun) lartë, poshtë apo me 2 kundramaja?
Këtu ka diferencë të konsiderueshme. Nëse përdorim shtizën me 2 krahë (kundramaja) është e sigurt që çfarëdolloj gjëje që të kapim, nuk ka asnjë shans të na dalë nga shtiza. Megjithatë ka edhe një problem shumë të madh. Nëse ndodh që na del huq ose gjuajmë në guvë, mund të na ndodhë që ajo të bllokohet aq keq nëpër gurë sa të detyrohemi edhe të presim fijen e ti japim lamtumirën asaj shtize ose në rastin më të mirë të bëjmë ngjitje e zbritje shumë të shpeshta deri sa të mund ta nxjerrim. Kjo lloj shtize është zgjidhja më e keqe e mundshme për gjuetinë në guvë.
Shtizat me një kundramajë nga ana tjetër janë shumë praktike dhe nëse krahu funksionon mirë, janë edhe shumë të sigurta përsa i përket kapjes së peshkut. Problemi që kanë ato është që duke qënë se nuk janë shumë hidrodinamike, mund të na devijojnë pak gjuajtjen veçanërisht në fund të rrugës që ajo përshkon. Shumë peshkatarë preferojnë ta kenë kundramajën poshtë në mënyrë të tillë që devijimi i trajektores të kompensohet me forcën e gravitetit. Megjithatë ky problem mund të zgjidhet lehtësisht duke përdorur konin që vihet aty ku mbaron krahu për ta balancuar më mirë.
Fijen duhet ta lidhim 1 herë apo 2 herë në gjatësinë e pushkës?
Nesë përdorim pushkë të fuqishme do të ishte gjynah që ta lidhnim vetëm njëherë fijen në gjatësinë e pushkës pasi do ishim duke çuar dëm largësinë e saj efektive të goditjes.
Megjithatë ka një logjikë shumë të shëndoshë lidhur me sa të gjatë duhet të mbajmë fijen. Nëse gjuajmë në guvë, nuk ka asnjë kuptim të mbajmë fijen e gjatë, sepse vetëm sa bëhet e bezdisshme. Nga ana tjetër peshkatarët e kerrit (rofios) megjithëse përdorin pushkë të fuqishme fijen e preferojnë të shkurtër (1 lidhje) pasi menjëherë pasi peshku goditet atyre i duhet ta tërheqin fijen për të evituar që ai të futet në thellësi të guvës.
Nga ana tjetër gjuetarët që gjuajnë në pritje për sirra apo lica preferojnë fijet e gjata pasi në momentin që këta lloj peshqish goditen kanë tendencën të lëvizin shumë shpejt duke tentuar për të ikur dhe peshkatarit ndërkohë i duhet të ngjitet menjëherë në sipërfaqe për të marrë frymë (pasi e ka harxhuar oksigjenin në pritje) ndërkohë që i japin kohë peshkut të lodhet.
Me apo pa mulli (makinete)?
Në 90% të rasteve nuk na hyn fare në punë, por tek ai 10% i rasteve përfshihen ato rastet e rralla të peshqve të mëdhenj që janë për peshkatarët edhe trofeu më i kërkuar. Ka pasur plot raste qe peshkatarë janë ndeshur me egzemplarë shumë të bukur e të mëdhenj dhe kanë hezituar ti prej frikës se mund të humbnin shtizën ose pushkën në rastin më të keq.
Mulliri e zgjidh këtë problem duke i dhënë mundësinë peshkut të madh të sillet vërdallë deri sa të lodhet osë të ngordhë pa rrezikuar që të të vjedhi pushkën. Kështu që e mira e të mirave është ta kesh një të tillë për çdo rast.
Pse pushka ime nuk është e saktë?
Ka shumë arsye pse pushka mund të ketë pak saktësi arsyeja kryesore është mungesa e balancës mes fuqisë, potencilit të pushkës dhe trashësisë së shtizës. Në shumicën e rasteve, peshkatarët kanë tendencën ta egzagjerojnë me fuqinë e pushkës duke përdorur ose llastikë shumë të fuqishëm, ose të shkurtër. Nëse ndiqen këshillat e mësipërme, gjërat duhet të shkojnë mirë.
Megjithatë ka edhe një faktor tjetër që mund të ndikojë në saktësinë e pushkës. Ky mund të jetë pesha e kokës së pushkës e cila mund të jetë ose shumë e lehtë ose shumë e rëndë. Kur shkrepim, nga shtytja që pushka jep për mbrapa mund të ndodhë që maja e pushkës të ngrihet për lartë ose të ulet për poshtë. Ky problem mund të shkaktojë shumë goditje huq. Këshillohet që në momentin që pushka është e karikuar maja e saj të jetë lehtësisht negative (të ketë tendencë shumë të lehtë të shkojë për poshtë). Ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet disa provave me shënjestër nën ujë dhe nëse maja është e lehtë mund ti shtojmë disa plumçe të vegjël poshtë kokës. Nëse është shumë e rëndë duhet të përdorim shtizë me diametër më të vogël.
Konkluzioni
Në përmbyllje dua t’ju kujtoj që siç e shihni edhe nga këshillat më sipër nuk ka një mënyrë të duhur për konfigurimin e pushkës. Ajo varet nga teknika e gjuetisë që përdoret dhe nga peshqit që aspirojmë të kapim. Në vazhdim do të mundohemi të publikojmë edhe metoda më të detajuara për trajtimin e të gjithë këtyre çështjeve një nga një.
Stafi i spearfishingalbania.com ju uron peshkim të mbarë e det të qetë.
Një falenderim për këtë artikull kolegëve tanë italianë të pescasublog.it