
Kostumi
Kostumi i zhytjes shërben për shumë arsye. Përgjithësisht peshkimi nënujor zgjat disa orë dhe prandaj na duhet një mbrojtje termike e përshtatshme e cila na mban konstante temperaturën e trupit. Kostumi na ndihmon edhe me adaptimin vizual me ambientin përreth në mënyrë të tillë që ti zgjojë kuriozitet peshqve, por edhe të mos ti trembi ata. Gjithashtu kostumi na mbron edhe nga kontaktet me shkembinjtë apo kandilat.
Kostumi i peshkimit në përgjithësi nuk ka zinxhirë për elasticitet më të lartë dhe për të evituar xhepat e ujit që krijohen në zonat ku është zinxhiri.
Ka disa tipe kostumesh. Materiali bazë i kostumit është neopreni i cili mundëson ruajtjen e temperaturës trupore. Kostumet janë në përgjithësi me trashësi 3mm (për gjueti në periudhën e verës), 5mm për gjueti në stinët e ndërmjetme (vjeshtë, pranëverë) dhe 7mm për gjueti në dimër dhe kur temperaturat e ujit bien nën 16 ‘C.
Kostumet mund të jenë me neopren lisho ose mund të kenë një shtresë të jashtme ose të brendshme e cila rrit rezistueshmërinë. Veshja e jashtme mbron kostumin nga dëmtimi prej kontaktit me shkëmibnjtë, ndërsa veshja e brendshme e mbron atë nga grisja dhe jep lehtësi gjatë veshjes. Megjithatë veshja e brendshme humb pak në elasticitet dhe rrjedhimisht në puthitjen e plotë të kostumit me lëkurën e si pasojë ka pak humbje termike në krahasim me neoprenin lisho. Kostumi më i përdorur sot nga peshkatarët në zhytje të lirë është e veshur nga jashtë dhe lisho nga brenda.
Lidhur me mimetizmin, deri më sot nuk ka qënë e mundur të përcaktohet me siguri matematikore efikasiteti i kostumeve mimetike (qe imitojnë vegjetacionin nënujor) në raport me kostumet e zinj. Megjithatë kostumet me kontraste të larta ose ngjyra shumë të ndezura nuk janë rezultative. Nëse vendosim të zgjedhim kostume mimetike duhet të kemi parasysh që do të na duhet të mimetizojmë të gjitha pajisjet e tjera. E kemi besoj shumë të qartë që kostumi mimetik nuk bën shumë efekt nëse maskën e kemi ngjyrë të verdhë kanarine, apo pinet jeshile të ndezura.