Pushket Spearfishing
26
Apr

Pushkët

Lidhur me pushkën diskutimet mund të jenë të pafundme. Hidrodinamika, fuqia, gjatësia, mimetizmi, industriale apo artizanale, etj etj. Në të gjithë diskutimet lidhur me pushkën, nuk duhet harruar se kush qëndron prapa saj. Pushka është një ndihmë e madhe për peshkatarin, por nuk duhet harruar që vetëm peshkatari, përvoja dhe teknikat e tij janë çelësi i suksesit në një gjueti nënujore.

Pushkët ndahen në 2 kategori: pushkët oleopneumatike (me ajër të kompresuar) dhe arbaletat (pushkët me llasik). Pushkët oleopneumatike shfrytëzojnë presionin e ajrit për të shtyrë shtizën dhe peshkatari mund të rregullojë fuqinë e pushkës nëpërmjet mbushjes me ajër që i bën asaj si edhe kur pushka e lejon nëpërmjet një çelësi të vogël. Ndërsa në pushkët me llastik, fuqinë e përcaktojnë gjatësia, fortësia dhe numri i llastikëve që përdoren.

Ndërmjet 2 kategorive ka ndryshime thelbësore në përdorim. Pushkët me ajër sigurojnë fuqi të konsiderueshme edhe në përmasa të vogla dhe shpesh herë preferohen prej gjuetarëve të guvave për prakticitetin e përdorimit. Ndërsa pushkët me llastik kanë reputacion për pak më të zhurmshme se ato pneumatike dhe për lehtësi në mirëmbajtje. Megjithatë gjedhja mes 2 kategorive është çështje preferencash personale.

Lidhur me gjatësinë e pushkës ka shumë diskutime. Rregulli i përgjithshëm është goditja e pushka është efektive në një gjatësi të barabartë me trefishin e gjatësisë së saj. Bazuar mbi këtë rregull, gjuetarët që preferojnë guva preferojnë në përgjithësi pushkë më të shkurtra të cilat janë edhe më praktike edhe më pak të fuqishme duke mbrojtur shtizën sa herë që ajo përplaset me shkëmbinjtë. Pushkët e mesme (75-100cm) janë pak më fleksibël në përdorim e lejojnë përdorimin e disa teknikave për gjueti, ndërsa pushkët e gjata ( >110cm) preferohen prej gjuetarëve që gjuajnë në det të hapur.

Gjatësia e pushkës ndryshe nga miti që ekziston rreth saj, nuk lidhet fare me madhësinë e peshkut që synon të kapësh. Ajo ka të bëjë ekskluzivisht me fuqinë e saj dhe shpejtësinë e goditjes.

Kohët e fundit po përdoren edhe pushkër roller të cilat nëpërmjet 2 rrotullave bëjnë të mundur tërheqjen e shtizës gjatë gjithë gjatësisë së pushkës, duke i dhënë kështu më shumë fuqi asaj.

Pushkët në përgjithësi vijnë me shtiza me materiale që nuk ndryshken. Shtizat mund të jenë modulare, tahitiane (me majë teke), ose në formë cfurku (3 ose 5 maja).