
Teknikat Bazë të Gjuetisë në Apnea
Ky asrtikull prezanton 3 teknikat bazë të gjuetisë në apnea të cilat janë: Pritja, Prita dhe Guva.
Secila prej këtyre teknikave ka shumë mjeshtëri specifike të cilat nuk janë temë e këtyre materialeve prezantuese. Ju mund të gjeni më shumë informacion të detajuar apo të zgjeruar në blogun e faqes i cili i drejtohet sportistëve më me përvojë.
Pritja

Kjo është një teknike e peshkimit nënujor ku gjuetari pozicionohet në shtratin e detit pjesërisht i fshehur dhe pret që peshku t’i vijë në shënjestër.
Sigurisht që në këtë teknike është shumë e vështirë të përcaktohet momenti i duhur dhe pozicioni i duhur. Ka plot raste ku pas pozicionimit të gjuetarit, peshku vjen nga krahu tjetër dhe realizimi i kapjes bëhet i pamundur në pamundësi për t’u kthyer pa e trembur peshkun.
Kjo teknike bazohet në shfrytezimin e kuriozitetit të pelshqve, tipar ky që i bën ata të afrohen shumë me peshkatarin për të shuar kuriozitetin e tyre. Përveç kuriozitetit, peshqit grabitqarë shtyhen edhe nga karakteri i tyre territorial për të mbajtur gjuetarë të tjerë larg zonave të tyre dhe shpesh herë ndodh që afrohen me shpejtësi dhe shumë të shkujdesur drejt gjuetarit nënujor.
Për gjuetinë në pritje, kryesisht përdoren pushkë të gjata e të fuqishme (abralete 100-150 cm kryesisht me 2 palë llastike ose pushke pneumatike 90-130cm), pasi distanca e goditjes mund të shkoje deri ne 4 m. Kur kjo teknike aplikohet në thellësi të konsiderueshme prej gjuetarëve me përvojë shumë të madhe (15-30 m), edhe pajimet e tjera janë me specifike për këtë perdorim si psh, lopatat prej karboni, maskat me vëllim të vogël të cilat evitojnë shtypjen prej trysnisë së lartë.
Gjuetia në Guvë

Teknika e peshkimit nënujor në guvë ka për qëllim kapjen e një numri të kufizuar speciesh. Në ujërat mesdhetare, speciet tipike të cilat habitatin e tyre tipik e kanë nëpër guva janë Kerri (ose ndryshe Rofio) që quhet edhe mbreti i guvës, Sagaroi (spalca) dhe Korbi. Gjithashtu nëper guva mund të gjehen edhe specie të tjera si Murenat, apo Oktapode.
Gjuetia në guvë në përgjithësi bëhet në relieve nënujore që ofrojnë fshehje të mjaftueshme për peshqit. Tipikisht masivet e shkëmbinjve nënujorë të veshur me alga ose vegjetacion të pasur. Skenë tjetër tipike për gjueti në guvë (megjithëse nuk keshillohen për arsye sigurie) janë edhe reliket nënujore ose anijet e mbytura.
Për gjuetinë në guvë keshillohen pushkët relativisht të shkurtra dhe me cfurk (3 ose 5 maja) kur gjuajmë per Sarago ose Korb. Shtiza me 3 maja shërben për ti dhënë një vdekje të shpejtë peshkut ose për ta traumatizuar atë në menyrë të tillë që të mos ketë mundesi të fshihet në thellësi të guvës. Në rastin e Kerrit, këshillohet shtizë tahitiane (1 majë e vetme) më menyrë të tillë që të mund të depërtoje lehtësisht në trupin e peshkut.
Prita – (Aguato)

Mu desh ta shkruaja edhe në paranteza në italisht, duke qënë se në shqip termi pritë mund te ngatërrohet lehtësisht me pritjen e cila eshtë një teknike tjetër e peshkimit në zhytje të lirë.
Prita si teknike ka të bëjë me gjuetinë dinamike (ndjekjen e peshkut) me lëvizje të ngadalta e të kujdesshme me shpresën që peshku të kapet në befasi. Përvec faktit që peshkatari duhet të levizë jashtë rrezes së shikimit të gjahut të tij, ai duhet të ruhet edhe nga një shqisë e 6 që kanë peshqit e cila është linja anësore. Vija anesore i lejon peshqit të ndjejnë ndryshime në trysninë e ujit të krijuara nga lëvizjet e vibrimet zanore. Kjo e fundit e detyron gjuetarin që jo vetëm të levizë në hije, por të përdorë sa meë shumë shkëmbinjtë si pengesë ndërmjet vetes dhe linjës anësore të peshkut.
Peshkimi në pritë është teknika me e vështirë ndër të treja dhe për të arritur mjeshtrinë në të, duhen vite përvojë. Për këtë lloj gjuetie këshillohen pushkë te gjatësisë 80-100 cm të cilat sigurojnë fuqi të mjaftueshme për të gjuajtur nga një farë distance, po gjithashtu edhe duhet të jenë lehtësisht të manovrueshme.