Kompensimi i maskës
Nga Ardi Gjuzi
Kur zbresim në thellesi ndjehet shtypja e provokuar nga presioni i ujit tek veshet. Për të shmangur dhimbjen apo me keq akoma carjen e daulles së veshit duhet bërë manovra e kompesimit të vesheve.
Kjo është sigurisht A-ja e zhytjes. Megjithatë shumë mund të mos ta dijnë që përveç veshëve duhet kompensuar edhe maska.
Siç e kemi thënë shumë herë në forumin Apnea Forum Albania, maska më e pështatshme për ne apneistet është ajo më vëllim të vogël. Sa më i vogël të jetë vëllimi i maskës aq më pak ajër do të na duhet të fryjmë në maskë nëpërmjet hundës për të balancuar presionin e jashtëm dhe kështu shmangur efektin e shtypjes.
Maskat duhet të kenë brenda edhe hundën në mënyre që kur të fryjmë ajër nga hunda ajri të kompensojë volumin e maskës. Ja pse nuk është e mundur të zbresim në thellësi me syze noti.Hunda nuk është në komunikim me syzet, shmangia e efektit të shtypjes është e pamundur.
Shtypja e maskës në fytyrë duhet shmangur për të mos dëmtuar kapilarët e syrit nga efekti thithës (ventuzë) i maskës.
Sa herë ju ka ndodhur të dilni nga uji dhe të keni sytë të skuqur? Kjo për arsye sepse keni nënvlerësuar kompensimin e maskës.Ka raste ku demtimi i kapilareve eshte shumë serioz si në foton më poshtë.

Maska nuk duhet lënë kurrë të shtypë fytyrën për arsye sepse ajo bën edhe që qiellëza e butë të mbyllet nga lartë dhe si pasojë nuk do të arrijmë të kompensojmë më as veshët duke rrezikuar dëmtime serioze të daulles.
Rregulli është që përpara se të kompensohen veshët, kompensohet maska. Vetëm kini kujdes! Ajri nga hunda nuk duhet fryrë pa kriter në maskë, pasi nuk jemi polombar që të kemi rezerva ajri, të vetmen rezervë kemi mushkritë dhe ajrin duhet ta ruajmë duke fryrë mjaftushëm pa e lënë të dalë nga maska.
Një nga gabimet që behet shpesh është thithja me hundë e ajrit që ndodhet në maskë duke bërë që maska të shtypet totalisht përpara së të arrijmë në thellësinë që duam dhe nuk arrijmë dot të kompesojmë veshët duke u detyruar të kthehemi menjëherë në sipërfaqe.
Manovra e kompesimit të maskës është shumë e thjeshtë. Mjafton që gjatë zbritjes në thellësi të fryjmë ajër nga hunda në maskë dhe maska mban distancën e saj nga fytyra dhe një vëllim konstant.