Siguria ne gjuetine ne apnea
26
Apr

ACB e Sigurisë

Peshkimi nënujor në zhytje të lirë është një sport sa i bukur, aq edhe i rrezikshëm nëse nuk respektohen me rigorozitet udhëzimet lidhur me sigurinë. Siguria është tema më e rëndësishme e kësaj faqeje dhe udhëzimet lidhur me të nuk duhen neglizhuar për asnjëlloj arsye. Fatkeqsisht në këtë sport dhe në zhytjen e lirë çdo vit humbin jetën kolegë kryesisht prej vetëbesimit të tepruar ose prej neglizhencës lidhur me sigurinë. Të mos harrojmë që asnjë lloj suksesi në këtë sport nuk ka vlerë nëse vëmë në rrezik jetën tonë.

Rregullat që implikojnë të tretë

  1. Distanca nga Plazhi. Hyrja në det kryhet në dy mënyra. Ose nëpërmjet një mjeti lundrues ose nga bregu/shëmbinjtë. Në rastin kur hyrja në det është nga bregu, duhet respektuar distanca minimale nga plazhi prej 500m në plazhe të frekuentuar nga pushues.
  2. Përdorimi i Bovës- Është e detyrueshme përdorimi i bovës me flamur gjatë zhytjes. Bova nuk duhet të jetë më larg se 50 m nga zhytësi. Bova përdoret për arsye sigurie. Ajo sinjalizon mjetet lundruese për prezencën e një zhytësi në afërsi dhe mjetet lundruese janë të detyruar të respektojnë një distancë prej 100m në rreze nga bova. Bova gjithashtu shërben edhe për të sinjalizuar palët e treta për pozicionin e zhytësit edhe në raste emergjence. Në vendet Evropiane përdorimi i bovës është i detyrueshëm me ligj, dhe kundravajtjet për mosrespektimin janë gjoba të konsiderueshme. Megjithëse në Shqipëri nuk është e detyruar me ligj një gjë e tillë, përdorimi i saj është absolutisht i detyrueshëm për arsye sigurie.
  3. Është i detyrueshme respektimi i distancës minimale prej 100m nga rezervate apo impiante fikse peshkimi.
  4. Është i detyrueshëm respektimi i distancës minimale pren 100m nga anijet e ankoruara jashtë porteve.
  5. Ndalohet gjuetia në hapsirat e hryjes apo daljes së anijeve në porte.
  6. Mosha minimale– Mosha minimale për përdorimin e pushkës së gjuetisë nënujore (me ajër ose me llastikë) është16 vjeç.
  7. Është e ndaluar armatosja e pushkës në tokë. Armatimi apo çarmatimi i pushkës janë të detyrueshme të kryhen ekskluzivisht nën ujë.
  8. Mos e drejtoni kurrë pushkën e armatosur drejt vetes apo dikujt tjetër.

Rregullat e sigurisë personale

  1. Mos shkoni KURRE për gjueti vetëm. Sigurohuni që të keni gjithmonë një shok që ju vëzhgon nga lart gjatë zhytjeve tuaja. Është shumë e këshillueshme që edhe shoku të ketë përvojë në zhytjen e lirë. Ky është rregulli më i rëndësishëm përsa i përket sigurisë. Mund të shmanget shumica dërrmuese e incidenteve me pasojë jetën nëse respektohet ky rregull.
  2. Nga një zhytje në tjetrën repsektoni rregullin e “dyfishit të kohës” nëse keni kaluar 30 sekonda nën ujë, duhet të pushoni mbi ujë për të paktën 60 sekonda para se të zhyteni sërish. Kjo eviton riskun e sincopes (të fikët) nënujore si edhe simptomave të tjera problematike që mund të shfaqen edhe më vonë.
  3. ASNJEHERE mos rrini nën ujë deri në limitin tuaj, por llogarisni që të keni kohë të mjaftueshme për tu ngjitur lart.
  4. Rrini gjithnjë larg rrjetave apo tratave të lëna nga peshkatarë profesionistë. Ato janë objektet më të rrezikshme për zhytësin e lirë. Është shumë e lehtë të ngecësh nëpër rrjeta dhe pasojat janë fatale.
  5. Mos mbani fije të lidhura me trupin. Ato mund të ngatërrohen e lidhen në objekte të tjera nën ujë e t’ju mbajnë poshtë. Për shembull, fijen e bovës është e këshillueshme ta mbani të lidhur me pushkën ose ta mbani në dorë gjatë spostimeve nëpërmjet një plumbçi të vogël.
  6. Rrjetën qëmban peshqit mos e lidhni në brez por mundësisht lidheni tek bova.
  7. Bëni të mundur që çdo lloj aksesori që përdorni (si brezi i peshave etj) të jetë lehtësisht i shkëputshëm dhe i lëshueshëm me një gjest të vetëm.
  8. Mbani një thikë për arsye sigurie në një vend ku mund ta kapni lehtësisht edhë në rastet kur një prej gjymtyrëve e keni të bllokuar. Për shembull të lidhur tek këmba ose në parakrah, në mënyrë të tillë që edhe nëse një dorë e keni të bllokuar, mund të coni këmbën ose dorën tjetër tek ajo për të nxjerrë lehtësisht thikën nga mbajtësja.
  9. Gjuani gjithnjë në thellësi nayrale për trajnimin tuaj në mënyrë që ngjitjen ta keni gjithnjë komode pa lodhje. Mbani mend që zbritja është gjithnjë e thjeshtë, por në ngjitje kemi përdorur pjesën më të madhe të oksigjenit.
  10. Asnjëherë mos pini pije alkolike përpara gjuetisë (ose zhytjeve të lira) dhe nëse jeni në regjim ilaçesh pyesni doktorin nëse mund të ketë probleme me apnean. Nëse nuk ndiheni në formë të përsosur, mos shkoni për peshkim. Edhe lodhja mund të bëhet shkak i problemeve eventuale. Asnjëherë mos peshkoni ose aplikoni zhytjen e lirë nëse mendoni se ka diçka që nuk shkon me ju fizikisht atë ditë.
  11. Mos e lini pushkën pneumatike në vende të nxehta apo afër burimeve të energjisë (psh ne bagazh të makinës në verë, në diell etj).