
Aksesorët
Rripi – është një aksesor shumë i rëndësishëm për peshkatarin në zhytje të lirë. Ai përveç se mban peshat, mban edhe aksesorë të tjerë për përdorim si ndriçues, majtësit e peshqve apo thikën. Brezi duhet të ketë 2 veti kryesore. Ai duhet të ofrojë fërkim të mjaftueshëm që të mos lejojë peshat të rrëshkasin dhe duhet të jetë lehtësisht i lëshueshëm në rast rreziku (i lëshueshëm nëpërmjet një veprimi të vetëm me një dorë).
Ndriçuesi – përdoret për gjuetinë nëpër guva (jo gjuetinë natën e cila është antisportive) dhe përgjithësisht ka dritë të përqendruar dhe llampa kryesisht jo më të fuqishme se 5 Watt. Teknologjia moderne na lejon përdorimin e llambave LED të cilat ofrojnë fuqi më të madhe për më pak energji. Gjithashtu ndriçuesit duhet të jenë lehtësisht të përdorshëm duke përdorur vetëm një dorë.
Thika – është një aksesor utilitar si edhe një mjet sigurie. Ajo përdoret për të vrarë peshqit përpara se ti vëmë tëk mbajtësja e tyre si edhe në rast rreziku për të prerë ndonjë rrjetë ose fije të ngatërruar nëpër trup. Thikat sot preferohen gjithnjë e më të vogla ndryshe nga hanxharët që përdoreshin dekada më parë për të njejtin funksion. Thikat janë të ndara në 3 lloje, thika për përdorim të përgjithshëm, prerëse fijesh dhe thika çekiç (shërbejnë për të goditur objekte nën ujë si guaska ose gjëra të ngjashme sipas nevojës) të cilat kanë e kanë qendrën e gravitetit tek bishti ku kanë edhe një pjesë metalike të rëndë e të fortë e cila shërben si çekiç.
Planceta – është një zëvendësues i bovës sinjalizuese. Edhe ajo si bova ka një flamur të kuq i cili sinjalizon për vendodhjen e peshkatarit, por ajo gjithashtu ka edhe vend të mjaftueshëm për të mbajtur aksesorë ose objekte të tjera si shishe ujë, pushkë të dytë, ndriçues etj.
Këto janë aksesorët bazë të cilët janë thuajse të gjithë të detyrueshëm. Pastaj në varësi të gjuetarit, tipit të gjuetisë dhe mjedisit ku bëhet gjuetia mund të përdoren një mori aksesorësh të tjerë me përdorim më specifik.