maska spearfishing
26
Apr

Maska & Tubi

Maska është shumë e rëndësishme për peshkimin nënujor. Rehatia e saj në fytyrë është thelbësore për një peshkim komod. Maskat profesionale janë të bëra prej silikoni dhe xhami të temperuar. Megjithëse maskat sot janë të llojeve të ndryshme, ato duhen provuar për komoditet para blerjes. Gjatë provës për përshtatshmëri maska duhet të ketë mundësi të rri plotësisht e puthitur me fytyrën dhe të qendrojë pa qënë nevoja të përdore llastiku i saj i pasëm.

Maskat e sotshme për shkak të një shtrese mbrojtëse që i vihet për gjatë transportit e magazinimit, kanë tendencë të vishen me avull shumë shpejt kur përdoren në det. Për këtë arsye ka disa metoda për pastrimin e kësaj shtrese me flakë, pastë dhëmbësh apo ilaçe enësh. Gjithashtu edhe në det ka disa metoda te cilat përdoren për evitimin e veshjes së maskës si lyerja me pështymë e pjesës së brendshme apo  përdorimi i solucioneve kundër veshjes me avull.

Kryesisht maskat që përdoren për gjuetinë në zhytje të lirë keshillohet të jenë me vëllim të brendshëm sa më të vogël. Kjo lehtëson balancimin e trysnisë në veshë dhe lehtëson shtypjen prej presionit të ujit për gjuetarët që gjuajnë në thellësi mbi 10m. Megjithatë pavarësisht çdo sugjerimi lidhur me maskat, rregulli i artë është zgjidhni maskën që ju bën të jeni me komodë.

Sot ka edhe maska me valvul për shkarkimin e ujit që futet në maskë gabimisht (të vendosura poshtë hundës. Këto lloje maskash mund të jenë të dobishme për zhytësit me bombula, por për gjuetinë në zhytje të lirë nuk ofrojnë kurrfarë avantazhi, përkundrazi mund të krijojnë bezdisje, zhurma të panevojshme etj.
 

Tubi është aksesori më i thjeshtë dhe bazik lidhur me gjuetinë nënujore. Ai nuk ka asnjë funksion kompleks veç lejimit të ajrit. Në përgjithësi për peshkim përdoren tuba pa valvula (pasi krijojnë shumë flluksa e zhurma të panevojshme nën ujë) dhe duke pasur parasysh këtë fakt, cfarëdo lloj tubi që ju rri komod në gojë dhe nuk ka ndonjë ngjyrë shumë të çuditshme ju bën punë shumë mirë. Çdo gjë tjetër që do të mundohen t’ju shesin për avantazh nuk ka vlerë.